Arrestohen dy persona për trafik armësh, sekuestrohet një mitraloz dhe municione luftarake

Policia ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Telekomanda”, duke vënë në pranga 2 persona në Durrës pasi akuzohen për trafik armësh.

Personat e ndaluar janë shtetasit A. P., 47 vjeç, banues në Kuçovë, i dënuar më parë për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”; B. H., 60 vjeç, banues në fshatin Magjat, Kuçovë, i dënuar më parë për falsifikim.

Sipas policisë, arrestimi i tyre u bë pas një pune disamujore me metoda speciale të hetimit, ku si rezultat u dokumentua aktiviteti i tyre kriminal i trafikimit të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak jashtë vendit, me qëllim përfitimin e vlerave monetare.

Në cilësinë e provës materiale shërbimet e policisë sekuestruan 2 armë zjarri (mitraloz dhe kallashnikov), 822 fishekë, një sasi lënde narkotike kanabis sativa, 2 mjete në pronësi të shtetasve B. H. dhe A. P., si dhe 3 aparate celular, të cilët këta shtetas i kishin në përdorim.