Burgjet, gardianët do të pajisen me kamera trupore

Pas Policisë së Shtetit, edhe burgjet kërkojnë vendosjen e kamerave të trupit për gardianët.

Burime pranë Drejtorisë së Burgjeve thanë se kjo do të shërbejë për shmangien e korrupsionit si dhe ato të shpërdorimit të detyrës nga ana e punonjësve të burgjeve. Kamerat shihen si të domosdoshme për të faktuar edhe rastet kur të burgosurit kërcënojnë e shantazhojnë stafin e burgut.

Mësohet se në fushën e rritjes së sigurisë në ambientet e vuajtjes së dënimit do të investohen rreth 78 milionë lekë, ku veç kamerave të trupit për forcat operacionale, do të blihen dhe pajisje speciale kontrolli.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, do të rritet niveli i sigurisë fizike, por edhe mbikëqyrja e stafit policor në burgje. Vëmendje të veçantë ka dhe regjimi 41 bis, ndërsa aty do të instalohen sisteme të pavarura mbikëqyrjeje.

Në buxhetin e vitit 2021, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka parashikuar dhe blerjen e automjeteve, më konkretisht ambulanca specifike për të burgosurit.