Covid-19 po rrit ndotjen, maskat dhe dorezat mbushin plazhet

Pajisjet mbrojtëse ndaj Covid-19, të tilla si dorezat dhe maskat ​​për fytyrën, tani gjenden në pothuajse një të tretën e të gjitha plazheve britanike, pas një rritje në përdorim për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Pastrimi vjetor i plazhit nga shoqata vullnetarësh, zbuloi rritjen tronditëse të këtyre lloj mbetjesh. Këtë vit, vullnetarëve iu kërkua të organizonin pastrime të zonave të plazhit, në përputhje me udhëzimet e qeverisë, dhe të regjistronin numrin e maskave dhe dorezave plastike që do të gjenin. Nga kjo gjë, u pa se këto sende u gjetën në 30 për qind të plazheve të pastruara.

Mbetje të plastikës dhe polisterolit ishin artikujt më të zakonshëm të mbledhur, të ndjekur nga kapakët e plastikës, pecetat e lagura, bishtat e cigareve etj.

Koordinatorët e kësaj veprimtarie vullnetare për pastrimin e plazheve u shprehën se, “sasia e mbetjeve të llojit maska apo doreza plastike, që vullnetarët tanë gjetën në plazhe, këtë vit, është sigurisht shqetësuese. Duke marrë parasysh se mbajtja e maskave u bë e detyrueshme, rritja e konsiderueshme e këtyre mbeturinave duhet të jetë një shenjë paralajmëruese për atë që mund të jetë një formë e re e mbeturinave, e që mund të ndotë plazhet tona në të ardhmen.