Ligji për presidentin, mazhoranca harton draftin me 45 nene

Atë që presidenti nuk e bën, e bën kuvendi. Ky duket se është parimi I të gjithë ligjit organik për institucionin e presidentit të hartuar nga mazhoranca. Kreut të shtetit i vendoset detyrimi të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë  partitë, dhe kryesisht me mazhorancën. Kjo e fundit është ajo që vendos datën e zgjedhjeve, sipas asaj që parashikon neni 17,  nëse nuk gjendet konsensusi pas konsultimeve me partitë. Nëse data nuk caktohet brenda afateve apo procedurave nga Kreu i Shtetit, atëherë atë e vendos Kuvendi.

Edhe nëse vendoset të shtyhen zgjedhjet, siç Ilir Meta propozoi në 2019-n, duhet të merret parasysh data që do mazhoranca.  Konsulta kryhen për çdo emërim në institucione që kryen presidenti.  Nëse përfaqësuesit e partive nuk japin dakordësinë dhe kalojnë afatet, e drejta e emërimit i kalon parlamentit. Ky i fundit mund të kryejë dhe ceremonitë e betimit  të anëtarëve të gjykatave apo drejtuesit e institucioneve nëse presidenti nuk e zhvillon atë brenda 10 ditëve, siç ndodhi në rastin e Arta Vorpsit në Gjykatën Kushtetuese.           

Në rast se ceremonia e betimit nuk organizohet nga Presidenti i Republikës deri në përfundim të afatit sipas pikës 4 të këtij neni, atëherë betimi kryhet përpara Kuvendit, për të gjithë funksionarët apo gjyqtarët që zgjidhen apo miratohen prej tij, kurse për të tjerët përpara organit propozues.

Neni24, Procedurat e betimit

Afate vendosen dhe për emërimin e ministrave, problematikë e hasur me Sandër Lleshaj dhe Gent Cakaj. Brenda 7 ditëve duhet të   dalë dekreti, në të kundërt hyn sërish në lojë kuvendi.                       

Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin e ministrit të propozuar nga Kryeministri brenda 7 ditëve nga marrja e propozimit, atëherë Kryeministri ia paraqet propozimin Kuvendit për miratim, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim.

Neni 21, Emërimi i ministrave

Ministri i miratuar sipas kësaj pike bën betimin drejtpërdrejt në Kuvend, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim. refuzimi për të ushtruar kompetenca kushtetuese përbën arsye për shkarkim. ndërsa shpërndarjen e parlamentit, Presidenti  mund ta bëjë vetëm në rastet kur nuk arrin të miratohen për 2 raunde  kryeministrat e emëruar. Ashtu si falja e të dënuarve ishte rregulluar me herë me ligj që bëhej me propozim të ministrit të drejtësisë, dhënia e shtetësisë bëhet me propozim të ministrit të Brendshëm. Konsultime duhet të bëjë dhe për dhënien e dekoratave e titujve të nderit, me institucionet që kanë informacion mbi përfituesin e tyre.