Ndeshja e 11 nëntorit mbetet vëllazërore, asistencë për ligjin e sporteve

Shqipëria dhe Kosova gjithmonë bashkë. Miqësorja e 11 nëntorit në Elbasan Arena është paraprirë nga vizita e drejtuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës në Tiranë.

“Në ndeshje, të gjithë duan rezultat pozitiv. Por është vëllazërore që do t’i shërbejë përgatitjes për ndeshjet zyrtare”, tha Armand Duka.

Ndërsa Agim Ademi, President i FFK, theksoi: “Mes nesh, gjithmonë do të jetë vëllazërore. Ne do të jemi gjithmonë si vëllai i vogël në shërbim të ekipit kombëtar”.

Futbolli shqiptar shpreson se deri në fund të vitit qeveria do të dorëzojë në Parlament projektligjin e ri për sportin, me Kosovën që është gati të japë asistencën e saj, pasi i ka vënë në praktikë me sukses lehtësirat fiskale, të cilat kanë afruar mjaft sponsorë.

Pandemia Covid-19 shtyu planet për një kupë mbarëkombëtare, ashtu si basketbolli dhe volejbolli, por projekti do të vijojë.

Duka tha: “Projekti ynë madhor për një kupë të përbashkët nuk u bë këtë vit nga pandemia, por projekti vijon dhe është objektiv i përbashkët”.