Në kohë distancimi social, festat e vetme i bëjnë lopët e detit

Studiuesit kanë zbuluar në një skaj të largët të Siberisë, aty ku mendonin të mos gjenin pothuajse asgjë, një “party” të vërtetë me të paktën 3 mijë pjesëmarrës.  

Nuk bëhet fjalë për persona të mërzitura nga masat e distancimit social për shkak të pandemisë, por për një mbledhje gjigantë lopësh deti.

Këto kafshë që karakterizohen nga mustaqet dhe çatajtë e individëve më të rritur, zakonisht jetojnë në ishujt e Arktikut,  por shkrirja progresive e akujve i ka shtyrë drejt brigjeve të gadishullit të Yamalit, në Siberi.

Në pak qindra metra, shkencëtarët që tashmë po i monitorojnë me vëmendje zbuluan  3 mijë ekzemplarë meshkuj dhe femra, që çiftëzohen dhe kalojnë ditë të qeta duke u mbrojtur njëri me tjetrin  nga armiqtë e tyre të natyrshëm, si balenat vrasëse dhe ariu polar, por më së shumti nga vetë njeriu.

Trikeku ose lopa e detit për shkak të dhjamit, lëkurës dhe vlerës së fildishit të çatajve, ka qenë i gjuajtur masivisht deri disa dekada më parë, aq sa rrezikoi zhdukjen. Sot përllogaritet se në gjithë botën mund të ketë rreth 12 mijë të tillë, por zbulime si kjo e fundit bëjnë të shpresojnë studiuesit se popullsia po rritet në mënyrë të qëndrueshme.