Rama mbron inceneratorët: Mandati i tretë, për pastrimin e vendit

rama 1100x620

Nga vendgrumbullimi i mbetjeve në Porto Romano, kryeministri Edi Rama kërkoi mandatin e tretë qeverisës për të çuar deri në fund projektet e pastrimit të Shqipërisë.

“Për t’i hapur qytetarëve të Durrësit rrugën e një parku të madh, e një ekoparku atraksionesh që do të jetë një mushkëri e re e Durrësit. Do të bëjmë atë që duhet sepse opozitën nuk e kemi përballë, por e kemi mbrapa dhe duan të na tërheqin mbrapa. Duan të përdorin plehrat që të ndotin imazhin tonë”, tha Rama.

Mbrojtjen e inceneratorëve e bëri përballë ish-ministrit të Mjedisit të LSI-së, Lefter Koka. Në mbrojtje mori edhe demokratët, që i paralajmëroi se duke votuar Partinë Demokratike, do të marrin në “ofertë” edhe Monika Kryemadhin dhe Ilir Metën. 

“Me Lefterin kemi punuar bashkarisht për këto projekte kur ishim në aleancë. Opozita po degradon thellë e më thellë. Monika dhe Iliri e kanë kthyer Durrësin në një stacion hakmarrjeje imagjinare. Ata që votojnë për PD-në do të kenë Monikën dhe Ilirin peshqesh. Atyre u duhet shpjeguar pse duhet ta refuzojnë këtë ofertë katastrofike për vetë PD-në”, theksoi Rama.