Zbatimi i buxhetit, KLSH zbulon kontrollin e dobët mbi ligjin kryesor financiar

Qeveria ka pak kontroll mbi atë që është ligji kryesor financiar në vend, buxheti i shtetit. Raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi zbatimin e buxhetit 2019, zbulon mijëra shkelje ligjore, vonesa në raportime e shpeshherë mungesë informacioni për mënyrën se si shpenzohen paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Për çdo shpenzim që bëjnë institucionet publike, ato kanë një afat 30 ditor për të dorëzuar faturat në drejtoritë e Thesarit, në varësi të Ministrisë së Financave. Por në plot 26,561 raste këto fatura kanë mbërritur jashtë këtij afati. Teksa ligji parashikon ndëshkimin deri me mbajtjen e 3 pagave për çdo zyrtar përgjegjës për këtë shkelje, institucionet janë mjaftuar me tërheqje vëmendje. Sot, efekti i këtyre gjobave vlerësohet nga KLSH se do të ishte 8 miliardë lekë, apo rreth 65 milionë euro.

Ndërkohë mbi 18 mijë raste shkeljesh evidentohen për dorëzimin dhe regjistrimin e kontratave jashtë afateve ligjore, kundërvajtje që ndëshkohen deri në 7 paga. Kjo problematikë shoqëron edhe kontratat PPP, që janë regjistruar madje deri në 3 vjet me vonesë, apo edhe në një rast nuk është regjistruar fare. Këto kontrata sipas KLSH janë shpesh të copëzuara dhe kanë mospërputhje midis vlerave të kontraktuara dhe asaj çfarë paguan shteti.

Por shkeljet me impakt në buxhet nuk përfundojnë këtu. Raportimi i detyrime të prapambetura rezulton i paplotë dhe i pasaktë, duke bërë që Ministria e Financave të mos ketë kontroll mbi këtë borxh të fshehur. Po ashtu, MFE nuk ka një vlerë të saktë për vendimet e çështjeve të arbitrazhit që priten të ekzekutohen.

Në total, në raportin shumëfaqësh të KLSH për zbatimin e buxhetit fjala shkelje është shënuar 125 herë; fjala mungesë 136 herë, fjala problematikë 130 herë dhe fjala kundërshtim 94 herë. Këto fjalë që ndër vite nuk merren parasysh nga institucionet ndikon në shifrën 2 miliardë lekë dëm në buxhetin e shtetit dhe 84 miliardë lekë mos efektivitet në të ardhura dhe shpenzime.