Dialogu Kosovë-Serbi, pas aktakuzave, palët e ndara për vijimin e tij

Konfirmimi i aktakuzave nga Gjykata Speciale janë tanimë një realitet për disa prej ish-anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Por vendi ka rënë dakord t’i çojë deri në fund, tha presidentja në detyrë Vjosa Osmani, duke paralajmëruar vështirësi në vijim.

Një prej tyre është edhe çështja e dialogut me Serbinë. A duhet të vazhdojë ai?  Sipas zyrës së kryeministrit, “vlerësohet se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka asnjë arsye për të pezulluar bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian. Përkundrazi, zotohet se do të punojë me përkushtim e me ndershmëri për t’i realizuar obligimet dhe përgjegjësitë kushtetuese.”

Por nuk ndajnë të njëjtin mendim aleatët në qeveri, sikurse Ministri i Drejtësisë nga radhët e AAK-së, Selim Selimi. “Si ministër i Drejtësisë, por edhe si qytetar i këtij vendi dhe si i deleguar edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për dialog, konsideroj se fillimisht Qeveria e Kosovës duhet të pezullojë menjëherë dialogun deri në një moment tjetër”, tha Selimi.  

Në të njëjtën linjë është edhe opozita por arsye sipas saj është vet kryeministri Hoti. “Zotëri Hoti nuk është person kredibil për të udhëhequr një proces të tillë. Kjo për shkak të faktit se ajo që përfaqëson ai, është një qeveri jo stabile që nuk ka unitet përbrenda”, deklaroi deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi.

Deri më tani pala serbe ka tentuar të kushtëzojë vazhdimin e dialogut në zbatimin e Asociacionit, por qeveria e Kosovës këmbëngul se kjo temë nuk do të hapet në kuadër të dialogut, por vetëm me njohjen reciproke.