Mediu: Të ngrihemi kundër regjimit të korruptuar, antishqiptar dhe antieuropian

Në një takim me strukturat e Partisë Republikane në Kamëz, kreu i kësaj partie, Fatmir Mediu, vuri në dukje se “fatin tonë e kemi vetë në dorë”, duke theksuar se “është koha për t’u bashkuar dhe ngritur kundër këtij regjimi të korruptuar, antishqiptar dhe antieuropian”.

“Të bashkohemi në çdo skaj të Shqipërisë, të bashkohemi në çdo qendër votimi, të përballemi me krimin, korrupsionin e lidhur me qeverinë që kërkon të manipulojë votat dhe kontrollojë jetën tonë”, u shpreh Mediu.

“Të bashkojmë në Partinë Republikane të djathtën historike dhe të rinjtë që kanë detyrimin në emër të familjes dhe kombit të ndërtojnë Shqipërinë europiane”, shtoi Fatmir Mediu.