Senatorët rikthehen në kombëtare

Rëndësia e ndeshjeve të nëntorit, fillimisht me miqësoren e datës 11 ndaj Kosovës dhe dy sfidat e fundit në Ligën e Kombeve, me Kazakistanin dhe Bjellorusinë, kanë bërë që Edy Reja të kthejë në kombëtare tre senatorët: Elseid Hysaj, Bekim Balaj dhe Sokol Cikalleshi.

Ata, së bashku me Ledian Memushajn, janë mes emrave të rëndësishëm në listën me 27 futbollistë të përzgjedhur. Ndryshe nga një muaj më parë, trajneri nuk ka në dispozicion 10 futbollistë, mes të cilëve Strakoshën, Baren, Lenjanin apo Mihajn e Dermakun, ndërsa Sadiku mbetet jashtë, pavarësisht dilemave për lojtarët që do të jenë në dispozicion.

“Kemi patur probleme me dëmtimet apo edhe prej virusit. Nga grumbullimi i fundit mungojnë dhjetë futbollistë, ndërsa kemi pikëpyetje edhe për disa që kemi grumbulluar. I tillë është rasti i Trashit dhe Gjasulës, por edhe Vrioni që ka patur probleme fizike. Prej detyrimit të karantinës, disa klube nuk i lejojnë lojtarët të paraqiten në Kombëtare. Personalisht kam folur me klubet e Serie A, edhe Presidenti është angazhuar në këtë çështje, ndërsa të hënën do të mësojmë edhe situatën për Gjasulën”, tha Reja.

Megjithë problemet, Reja nuk fshihet. Trajneri kërkon fitoren e grupit në Ligën e Kombeve, pa harruar rëndësinë e testit me Kosovën: “Pavarësisht problemeve me lojtarët, objektivi është t’i fitojmë dy ndeshjet me Kazakistanin dhe Bjellorusinë. Synojmë vendin e parë në grup. Nuk duhet të harrojmë as miqësoren me Kosovën. Luajmë kundër vëllezërve tanë, që kanë një skuadër mjaft konkurruese dhe mund të bëj disa prova për të vëzhguar edhe gjendjen e lojtarëve të caktuar”.

Mes dilemave në mbrojtje dhe me shumë sulmues të grumbulluar, tekniku kuqezi la të hapur mundësinë e ndryshimit të taktikës, nga 3-5-2 në skemën 4-3-1-2: “Nëse do të kemi mungesa në mbrojtje, mund të ndryshojmë. Varet nga lojtarët që do të kemi në dispozicion, sepse dikush mund të bllokohet nga klubi. Mund të provoj skema të ndryshme, si për shembull 4-3-1-2. Mënyra e përdorur deri më tani ka funksionuar, edhe pse në ndeshjen e fundit nuk fituam, kemi krijuar disa raste për shënim”.