Agron Duka takon strukturat në Korçë: Basha është shumë i butë kundrejt Ramës

WhatsApp Image 2020 11 08 at 09.05.11 600x338

Nga Korça, ku zhvilloi një takim me strukturat e PAA, kryetari i kësaj partie Agron Duka ka thënë për gazetarët se partia që ai drejton ka si synim që në parlamentin që do të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit të përfaqësohet me grupin e saj parlamentar, duke nënkuptuar se kjo parti do të marrë disa mandate.

Duka shtoi se janë duke zhvilluar diskutime me PD nëse do futen me lista të përbashkëta ose jo edhe pse i frikësohet një asimilimi të mundshëm të kandidatëve të tij.

“Normalisht me këtë kod zgjedhor ne jemi përballë një dileme të madhe sepse dalja më vete ka penalizime, do të thotë që ngrihet numri i votave për një qark. Sepse supozojmë nëse do të ishin koalicionet klasike ku për një mandat duhet mbi 6 mijë vota, me lista të ndara duhet 10 deri në 10 mijë e 500 vota. Nga ana tjetër futja me lista të përbashkëta me opozitën e bashkuar ka me vete frikën e asimilimit të siglave të partive tona, kështu që akoma jemi të pavendosur, megjithatë jemi ende në negociata me PD si partia me e madhe opozitare dhe nëse të dy palët do të jenë të kënaqura nga negociatat, ndoshta ajo do të jetë forma përfundimtare. Deri tani janë strukturuar dy lista një listë e PD me aleatët e saj dhe një listë e LSI me kandidatët e saj”, u shpreh Duka.

Në lidhje me gjuhën politike që po përdoret së fundmi mes Ramës dhe kundërshtarëve të tij si Basha apo Meta, Agron Duka thotë se Basha është mjaft i butë dhe për këtë edhe anëtarësia ka rezervat e saj. Ndërsa reagimet e presidentit i sheh të domosdoshme.

“Për Bashën nuk kam parë që të ketë kaluar në inormalitet, bile demokratët ankohen gjithmonë që Basha është brenda normales, ndërsa sa i përket gjuhës së përdorur nga Presidenti apo Kryetari i maxhorancës, kjo bëhet sepse tentohet gjatë gjithë kohës t’i merren kompetencat Presidentit, ndërkohë që presidenti është stoik në ruajtjen e kompetencave të tij. Prandaj ka një gjuhë të agravuar pasi i vetmi institucion që ka mbetur i pa kapur në Shqipëri është institucioni i Presidentit”, përfundoi Duka.