PD publikon videon nga Infektivi, Bardhi: Pacientët po trajtohen në ambulanca

bardhiokkkk 1100x620

Sekretari i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka publikuar së fundmi një video, ku shfaqet një grua përpara Spitalit Infektiv, e cila tregon për bashkëshortin e saj të infektuar me koronavirus, i cili sipas saj prej disa orësh po qëndron në ambulancë, pasi nuk ka vende për ta shtruar.

Sipas numrit dy të demokratëve, situata në spitale është shumë e rënduar dhe i bëri thirrje kryeministrit të marrë masa emergjente dhe të hapë dhe spitalin Covid-4.

“Edi Rama nuk i fshihet dot përgjegjësisë për situatën e rënduar shëndetësore me mashtrime dhe sulme të pavërteta politike. Ai ka detyrimin t’u japë shpjegime familjarëve të pacientëve, që presin në ambulanca për të marrë shërbim shëndetësor.

Situata në të dy spitalet Covid 1 dhe 2 është e rënduar dhe në rënie të lirë. Qytetarët po mbahen me orë në ambulanca në pritje për të siguruar një shtrat në spitalet e tejmbushura. Askush nuk sqaron dot pse nuk është hapur ende spitali COVID 4, që sipas mashtrimit të Edi Ramës ka muaj që është gati.

Ky është fakti, të cilin Edi Rama po përpiqet ta shmangë me retorikë boshe, mashtrime dhe shpifje të pavlera politike. Sot është dita të merren masa urgjente për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në nevojë”, shkruan Bardhi.