Basha tha se spitalet janë në kolaps, Rama i përgjigjet me videon ku duken shtretërit bosh

shtrat 1100x620

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili deklaroi se spitalet janë në kolaps.

Rama publikoi në Facebook një video nga COVID3 dhe akuzoi Bashën për dezinformim.

“Lulëzim Basha vazhdon të dizinformojë përditë e përditë se “spitalet janë në kolaps, shtretërit janë plot, njerëzit dergjen nëpër dysheme, s’ka mjekë, s’ka infermierë”, s’ka asgjë përveç Lulëzimit që ka recetën magjike të ndaljes së infeksionit! Është fatkeqësi e madhe që ndërkohë që numrat rriten si kudo në planet, nga Gjermania e Franca deri në fund të botës, si askund në botë opozita shpif, akuzon, përhap panik e nxit çorodi, duke përbuzur dhimbjet e të prekurve, sakrificat e bluzave të bardha, faktet e sfidat e kësaj kohe kaq të vështirë për njerëzit në Shqipëri e në mbarë botën”, shkruan Rama.

“Këto pamje janë sot, tani, brenda spitalit Covid 3, ku siç e shihni ka shtretër të gatshëm dhe mjekë e infermierë në gatishmëri, po pamje krejt të ngjashme sallash e shtretërish të gatshëm, së bashku me trupa të gatshme bluzash të bardha, mund të shihen në spitalin Covid 4 që ende nuk është hapur – ndërkohë që në bazë të strategjisë së vjeshtë/dimrit jemi gati të hapim edhe struktura rajonale nëse do të jetë nevoja. Kjo është padiskutim një situatë e vështirë, po ku nuk është? Por kjo vështirësi nuk kalohet me akuza, sharje, shpifje e sajesa, po me përpjekje të mëdha dhe solidaritet të madh! Lulëzim Basha, Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe Sali Berisha, ëndërrojnë pikërisht ato që thonë, kolapsin e spitaleve, dergjjen në dysheme të njerëzve, katastrofën totale, por përsëri do të zhgënjehen e do të ndëshkohen nga populli! Ne do ta fitojmë edhe këtë sfidë, as më shumë e as më pak, po si e gjithë bota, sepse askund nuk po bëhet ndonjë mrekulli, kudo po luftohet me çdo mundësi! Deri në fund. Besim, durim, kurajo dhe solidaritet”, shton Rama.