Biden thirrje amerikanëve: Ju lutem, ju lutem, mbani maska!

1111 3 1100x620

Presidenti i zgjedhur i Amerikës, Joe Biden iu lut amerikanëve që të mbanin maska.

“Ndoshta ju shpëton jetën. Kështu që ju lutem, ju lutem, mbani një maskë!” tha ai, të hënën. “Bëjeni për vete. Bëjeni për fqinjin tuaj.”

Demokrati shtoi se mbajtja e një maske nuk është një deklaratë politike, por “një mënyrë e mirë për të filluar bashkimin e vendit.”

“Nuk ka rëndësi se për kë keni votuar, ku keni qëndruar para ditës së zgjedhjeve. Nuk ka rëndësi partia juaj, këndvështrimi juaj. Ne mund të shpëtojmë dhjetëra mijëra jetë nëse të gjithë do të mbajmë maska për muajt e ardhshëm. Jo jetë demokratësh ose republikanësh, thjesht jetë amerikanësh”, u shpreh Biden.

Po ashtu, kreu i ardhshëm i Shtëpisë së Bardhë shtoi se kjo nuk do të zgjasë përgjithmonë, por do t’i kthejë njerëzit në normalitetin e munguar.

“Nuk do të zgjasë përgjithmonë. Por kjo është mënyra se si ne mund të kthehemi në normalitet”, tha ai.

“Ne duhet ta bëjmë këtë së bashku. Ne mund ta vendosim virusin nën kontroll, unë ju premtoj. Ne mund të rindërtojmë ekonominë tonë përsëri më mirë sesa ishte më parë. Pra, le të mbajmë një maskë.”