Florida dhe Kuba goditen nga stuhia tropikale Eta

Reshje të mëdha shiu si dhe erëra të forta, të shkaktuara nga stuhia tropikale Eta, kanë bërë që shtetet e Floridës dhe Kubës, të marrin masa për të parandaluar dëmet që stuhia mund të shkaktojë.   

Shkollat, plazhet dhe transporti publik në pjesën më të madhe të pjesës jugore të shtetit të Floridës, u mbyllën përpara se Eta të zbarkonte. Qendra Kombëtare e Uraganeve paralajmëroi, në orët e para të së hënës, se Eta do të sjellë “erëra të forta, reshje të shumta dhe stuhi të rrezikshme”, mbi Floridën Jugore.

Nga ana tjetër edhe Kuba u përball me stuhinë e fortë, që deri më tani, ka shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha materiale në Amerikën Qendrore. Zyra e meteorologjisë së Kubës paralajmëroi dhe më parë qytetarët për shira të rrëmbyeshëm, përmbytje dhe erëra me shpejtësi 80-100 km në orë. Përmbytjet mund të jenë një problem më i madh, duke qenë se Kuba u përball gjatë këtyre ditëve me reshje të shumta lokale shiu.

Autoritetet Kubane, të cilët janë të njohur për gatishmërinë përpara katastrofave natyrore, thanë se fermerët po lëvizin bagëtinë e tyre në vende të sigurta. Gjithashtu, qindra qytetarë kubanë filluan të largohen nga shtëpitë e tyre.

Eta goditi më parë dhe shtetin e Guatemalës, ku të paktën 21 persona humbën jetën dhe të tjerë rezultojnë të humbur, si pasojë e rrëshqitjeve masive të tokës.