Gjobat për maskën, gati 2 mijë të ndëshkuar vetëm gjatë fundjavës

maskat 1100x620

Policia ka bërë të ditur se ka vendosur 1825 gjoba vetëm gjatë fundjavës për mosrespektimin e masave anticovid.

Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 1825 qytetarë që lëviznin pa maskat mbrojtëse. Gjithashtu, gjatë kontrolleve në fundjavë, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 13 lokale, në ambientet e të cilëve kishte muzikë pas orës 20:00 dhe nuk respektoheshin protokollet e sigurisë që kanë si qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19. Secili prej administratorëve të këtyre lokaleve është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë. 

Gjatë kontrolleve në fundjavë janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 15 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.