Kryeministri Rama takohet me naftëtarët grevistë: Pagat e prapambetura nuk janë çështja jonë

edi rama fier naftetaret 1100x620

Ashtu edhe si kishte premtuar, kryeministri Rama zhvilloi një takim me naftëtarët e uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh të cilët prej dhjetëra ditësh qëndronin në një grevë urie për rrogat e munguara prej më shumë se dy vitesh.

Por, edhe pse pritshmëritë ishin të larta, nga ky takim është bërë një ofertë nga qeveria për të cilën naftëtarët protestues ende nuk kanë dhënë një përgjigje.

Kryeministri Edi Rama theksoi edhe njëherë përpara mediave pas këtij takimi se çështja e rrogave të prapambetura nuk i takon qeverisë, por marrëdhënies që këta punëtorë kishin me kompaninë që menaxhonte në kohë. Kreu i qeverisë, tregon se është premtuar një mbështetje financiare në kohë, por që nuk do të jetë në nivelin e pagës së tyre.

“Pas një bashkëbisedimi shumë të hapur, më vjen mirë që u krijuan këto kushte pasi natyrisht në kushte greve nuk bisedohej. Ne kemi ardhur për të qarë një hall që nuk e kemi krijuar ne, por që sigurisht kemi detyrim ta qajmë me gjithë këta njerëz. Natyrisht, duke pasur parasysh që janë shumë familje që nuk po kalojnë një kohë të lehtë. Faktikisht, kemi ndarë kohën në sensin që çfarë janë çështje që lidhen me marrëdhënien private në kushtet dhe sistemit që kemi zgjedhur, janë çështje që nuk i takojnë qeverisë, por natyrisht, çështja e njerëzve sot është një çështje që na takon ne ta adresojmë së bashku me ta.

Ne i kemi propozuar që qeveria të marrë përsipër që një mbështetje financiare në kohë për të gjithë këta punëtorë. Nuk mund të jetë paga e punës së tyre sepse faktikisht rafineria është e fikur. Nuk merremi me pagën e prapambetur, ajo është një çështje që ka të bëjë me marrëdhënien e tyre me kompaninë. Vendimi gjyqësor ka të bëjë me detyrimin e kompanisë dhe jot ë qeverisë. Qeveria nuk merr përsipër të zgjidhë çështjet e kompanisë”, tha kryeministri.

Edhe kreu i sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj, dha detajet e tij për këtë takim duke shtuar se propozimi i qeverisë do të diskutohet mes të gjithë naftëtarëve dhe më pas do të vendoset nëse do të vijohet me grevën apo jo.

“Biseduam për pagat e prapambetura. Nuk është arritur marrëveshja pasi asnjë nga palët nuk ka rënë dakord për pagat. Është hedhur në tavolinë ideja për dhënien e një page, jo pagë asistencë. Një pagë e ndërmjetme mes asaj që ne marrim në rafineri dhe një page të pranueshme dhe ky është një vendim që do të merret nga naftëtarët në ditën e nesërme sepse ne jemi përfaqësi, por nuk marrim dot vendim me një grup kaq të vogël. Nuk kemi dalë të kënaqur, por do t’ia lemë kohës. Biseduam për rikthimin në rafineri të një kompanie serioze. Vendimin do ta marrin 900 naftëtarët”, tha Dautaj.

Në fund, kryeministri deklaroi se ende nuk ka një investitor që mund të marrë në dorë fatet e kompanisë dhe të nisë punën e saj.