Mesazhet nga Al-Hawl, “Përse nuk u morën të gjitha gratë, tashmë janë të rrezikuara”

5 familjet shqiptare në Al-Hawl vijojnë të jenë të fshehura ndërsa fëmijët jetimë ndihen të kërcënuar nga pjesa tjetër e grave të radikalizuara në kamp.

Një prej numrave celularë me të cilin A2 ka komunikuar me Elona Shulin mbahet nga një prej grave e cila nuk është shqiptare. Sipas saj, tashmë të gjitha nënat në Al-Hawl janë të rrezikuara pasi nuk u morën nga kampi.

Gruaja që ka komunikuar me gazetarin Julian Kasapi:

“Mund të të bëj një pyetje? Përse të gjitha gratë nuk erdhën në Shqipëri? Përse ato janë tashmë në kampin Roj? Ju thatë se ato do të kthehen në Shqipëri dhe ato janë në kampin Roj. Dhe ti e di sesi jetojnë atje. Ato nuk kanë asgjë dhe ushtarët iu morën gjithçka, rroba, para e florinj. Nëse erdhe këtu në Siri përse nuk i more të gjitha gratë që duan të kthehen në vendin e tyre? Përse i le këtu?”

Julian Kasapi: “Nuk mund të të jap shumë informacion pasi gratë nuk i kanë besim askujt dhe tashmë po fshihen nga të tjerët.”

Nga ana tjetër, Myrvete Dibra e cila ndodhet në kamp së bashku me dy fëmijët e saj kërkon shpëtim nëpërmjet mesazheve zanore edhe pse nuk shprehet lirshëm.

“Allahu është mbrojtësi ynë për çdo gjë. Ai na shpëtoi prej luftës ku ishim dhe shpresoj të na japë atë që është më e hajrit për jetën dhe vdekjen tonë. Edhe nëse ndoshta nuk vijmë dot sot do të vijmë nesër ”, thotë Myrvete Dibra.

Pak kohë më parë operacioni për shpëtimin e jetimëve në Siri përfundoi me kthimin e 5 personave, 4 prej të cilëve familja Rasha dhe Endri Dumani. Në kamp vijon të mbetet motra e tij Eva Dumani si dhe 8 fëmijë jetimë të tjerë.