“Një ndër ligjet me përmbajtje më të lartë antikushtetutshmërie”, Meta kthen në Kuvend ligjin për Metrologjinë

meta 1100x620

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për Metrologjinë, që Kuvendi e ka miratuar më 15 tetor.

Sipas Metës, ky ligj “është një ndër ligjet me përmbajtje më të lartë antikushtetutshmërie, në shkelje flagrante të parimeve themelore kushtetuese të funksionimit të tregut të lirë dhe konkurrues, duke përbërë dhe shembullin tipik dhe të përsëritur, të fenomenit të korrupsionit legjislativ”.

“Ky ligj, siç dhe do të shpjegohet në vijim, në disa dispozita të tij krijon hapësira për zhvillimin e praktikave korruptive dhe shtron terrenin që këto praktika në dëm të interesit të popullatës dhe interesit publik, të realizohen drejtpërdrejtë përmes ligjit dhe mbrojtjes që ai ofron për subjektet që do t’i realizojnë ato”, shton Meta në arsyetimin e tij.