Pandemia, Biden mirëpret lajmin për vaksinën, por bën thirrje për kujdes

Biden 1100x620

Presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka përshëndetur lajmin e shumëpritur nga mbarë bota për vaksinën kundër koronavirusit që është krijuar nga bashkëpunimi i Pfizer me BioNTech.

Megjithatë, Biden iu bën thirrje amerikanëve të tregojnë kujdes pasi përfundimi i luftës kundër koronavirusit është ende shumë muaj larg.

Ai tregon se mësoi rreth këtij lajmi të mrekullueshëm, mbrëmjen e djeshme, dhe iu dërgoi urimet e tij ekipit të shkencëtarëve që ndihmuan në arritjen e saj.

Por, presidenti i zgjedhur shtoi se mund të duhen ende dhe shumë muaj për përhapjen e vaksinës në Shtetet e Bashkuara dhe për këtë arsye iu kërkoi amerikanëve të zbatojnë rregullat e thjeshta të mbajtjes së maskës dhe distancimit social.