Pandemia Covid-19, goditet ekonomia e Kosovës, rënie e fortë 8.8% këtë vit

Pandemia e Covid-19 ka goditur rëndë ekonominë e Kosovës. Banka Botërore parashikon një rënie prej 8.8 për qind në vitin 2020, një vlerësim ky më i zymtë se ai i bërë gjashtë muaj më parë.

Ndërkaq, instituti GAP ka analizuar ndikimin e pandemisë Covid-19 në ekonominë kosovare për 6-mujorin e parë të vitit. Nga të dhënat, rezulton se situata emergjente ndikoi në ndyshimin e sjelljes së konsumatorëve, ku ekonomitë familjare rritën shpenzimet për produkte bazike si ushqimi, uji dhe energjia elektrike ndërsa reduktuan shpenzimet joesenciale. Sektorët më të goditur janë ndërtimi, tregtia, transporti dhe akomodimi.

Pas masave kufizuese, Banka Qendrore në bashkëpunim me institucionet kredidhënëse ofruan mundësinë e shtyrjes së pagesave të kësteve të kredisë për tre muaj, e më pas mundësinë e aplikimit për ristrukturimin e tyre.

Paralelisht, qeveria e Kosovës në përpjekje për të stimuluar konsumin e brendshëm dhe lehtësuar gjendjen ekonomike, aprovoi paketëm e parë të ndihmës, me vlerë prej 190 milionë euro. Gjithashtu, riorientoi shpenzimet buxhetore brenda kufizimeve ligjore, nga investimet në kategorinë e pagave, transfereve dhe subvencioneve.

Kosova ka një borxh publik mjaft të ulët dhe një sistem financiar likuid dhe mirë të kapitalizuar. Kjo i ofron mundësi institucioneve publike që të ndërhyjnë për të frenuar rënien ekonomike. Por, analiza e institutit GAP konkudon se tremujori i dytë e veçanërisht tremujori i tretë është koha kur Kosova realizon prodhimin më të lartë në vit. Kjo periudhë do të jetë thelbësore në pasqyrimin e dëmit ekonomik që po shkakton pandemia.