Pandemia dhe dëmtimet, lista e Kombëtares pëson ndryshime

kombetarja 1100x620

Ndërkohë që një pjesë e futbollistëve i janë bashkuar kombëtares në grumbullin, të tjerët nuk kanë mundur të vijnë për probleme të ndryshme, duke detyruar trajnerin Reja të bëjë ndryshime në listë.

Zyra e shtypit të FSHF-së bën me dije se mbrojtësi Lorenc Trashi nuk mund të bashkohet me skuadrën pikërisht për shkak të masave kufizuese në Kuvajt, ku aktivizohet aktualisht lojtari. Gjithashtu, edhe mbrojtësi tjetër, Marash Kumbulla është në dilemë për shkak se autoritetet shëndetësore italiane i kanë kërkuar të gjithë lojtarëve të Romës që të qëndrojnë momentalisht në karantinë pas daljes pozitiv të një prej lojtarëve të këtij klubi. Në pritje të përgjigjes së tamponëve, stafi kuqezi shpreson që të ketë Kumbullën të paktën për dy ndeshjet zyrtare të Ligës së Kombeve. Gjithsesi, FSHF është kontakt të vazhdueshëm me dy klubet për të marrë informacione të mëtejshme për situatën e dy futbollistëve. Sakaq, konfirmohet edhe mungesa e sulmuesit Giacomo Vrioni, i cili është dëmtuar.

Në këto kushte trajneri Reja ka vendosur të thërrasë dy mbrojtësit e Tiranës, Erion Hoxhallari dhe Marsel Ismajlgeci, të cilët janë vënë menjëherë nën urdhrat e stafit teknik kuqezi. Edhe Klaus Gjasula pritet të humbasë miqësoren me Kosovën, pasi do të bashkohet me grupin ditën e premte, 13 nëntor. Për pjesën tjetër të grupit nuk ka probleme dhe deri të martën në mëngjes të gjithë do të jenë në gatishmëri.

Më 11 nëntor kuqezinjtë do të luajnë në miqësore ndaj Kosovës në “Elbasan Arena”, ndërsa më 15 nëntor luhet ndaj Kazakistanit në stadiumin “Air Albania” sfida zyrtare për Ligën e Kombeve. Tre ditë më pas, më 18 nëntor, Kombëtarja do të zhvillojë sfidën e fundit të grupit në Ligën e Kombeve ndaj Bjellorusisë po në stadiumin “Air Albania”.