Pfizer thotë se vaksina e saj kundër koronavirusit është 90% efektive

hypatia h 396584fd621a59653175361302dc55b7 h f17e4488f63df117405e07d694dcc2b3 1100x620

Kompania farmaceutike Pfizer thotë se të dhënat paraprake nga vaksina e saj për koronavirusin tregojnë se ajo është më shumë se 90% efektive, një përqindje shumë më e lartë sesa pritej.

Analiza e përkohshme u bë te 94 persona të konfirmuar me Covid-19, mes 43 mijë vullnetarëve që morën dy doza vaksine, ose një placebo. Pfizer tha se vaksina filloi të japë efekt 7 ditë pas marrjes së dozës së dytë dhe 28 ditë pas marrjes së dozës së parë.

Në një deklaratë për mediat, Pfizer tha se do të kërkonte autorizim nga ana e Administratës së Ushqimeve dhe Ilaçeve, FDA, për përdorim emergjent të vaksinës, pas monitorimit të vullnetarëve për dy muaj pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës.

Nga 43538 persona që kanë marrë pjesë në projektin e Pfizer, krijuar në bashkëpunim me kompaninë gjermane BioNTech, 38955 kanë marrë dy doza vaksine. Kompania thotë se 42% e personave pjesëmarrës janë jashtë Shteteve të Bashkuara, ndërsa 30% janë në SHBA, nga raca dhe klasa të ndryshme shoqërore.