Shtrenjtohen ushqimet, Instat: Inflacioni arrin në 2% për tetorin

MB INFLACIONI frame 216 1100x620

Kosto e jetesës në vend është rritur, si pasojë e shtrenjtimit të ushqimeve. Instituti i Statistikave raporton se në tetor inflacioni shënoi një rritje të ndjeshme, duke arritur në 2% nga 1.5% që ishte në shtator.

Ky është edhe niveli më i lartë i këtij treguesi, që prej muajit maj. Të dhënat tregojnë se kjo ecuri e inflacionit është ndikuar nga shtrenjtimi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike”, produktet që kanë shënuar rritjen më të madhe të çmimeve janë perimet dhe frutat.

Me përjashtim të ushqimeve, për të gjithë grup mallrat e tjera inflacioni ngelet poshtë nivelit të 2%, ndërsa grupet e veshjeve, shëndetit dhe transportit regjistrojnë inflacion në vlera negative, çka nënkupton se çmimet e produkteve ose shërbimeve në këto grupe janë më të lira krahasuar me vitin e kaluar.

Ecuria e çmimeve po ndjek trendin e konsumit, të ndikuar nga pandemia e COVID 19, ku qytetarët po shpenzojnë më shumë për ushqime dhe më pak për mallra e produkte të tjera.