Spitali Infektiv në kaos, familjarët: Nuk u japin ujë, kemi blerë 900 euro bombolën e oksigjenit

Pacientë që marrin shërbim në korridore, pacientë që nuk u ofrohet ujë, ushqime dhe medikamente. Mungesë informacioni për gjendjen shëndetësore. Këto janë shqetësimet që thonë familjarët e të shtruarve në Spitalin Infektiv, të cilët po qëndrojnë për ditë të tëra pranë këtij ambienti spitalor.

Shpresa për t’u kuruar në spitalet Covid në vendin tonë sa vjen dhe zbehet. Një zonjë po pret që t’i çojë bashkëshortit produktet që i ka kërkuar nëpërmjet telefonit. Sikur të mos mjaftonte gjendja e rënduar shëndetësore, pacientët iu ankohen familjarëve deri dhe për ujin e pijshëm.

Gjendja paraqitet e rënduar dita-ditës. Familjarët janë në ankth për të afërmit e tyre të cilët janë sjell me urgjencë në Spitalin Infektiv. Mungesa e informacionit rrit edhe më tepër mosbesimin te qytetarët të cilët qëndrojnë në gatishmëri për çdo nevojë të familjarëve të tyre.

Pacientëve të shtruar, familjarët thonë se nuk u është bërë tampon, ndërsa disa të tjerë janë detyruar ta bëjnë atë në spitalet private.

Ndihet, po ashtu, edhe mungesa e medikamenteve për sëmundjet bashkëshoqëruese, të cilat qytetarët po i sigurojnë nga jashtë spitalit.

Të tjerë qytetarë thonë se kostot për t’u trajtuar nga Covid-19 kanë shkuar përtej ilaçeve. Ndonëse, Ministria e Shëndetësisë ka hapur edhe spitalin Covid 3, numri i pacientëve që po trajtohen atje është i paktë, pasi sipas burimeve, mungon stafi i dedikuar për personat me koronavirus.