Takimi me naftëtarët, Spaho: Rama riciklon gënjeshtrat e vjetra

WhatsApp Image 2020 04 09 at 3.19.26 PM 1100x620

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka reaguar pas takimit të kryeministrit Rama me naftëtarët e Ballshit.

Përmes një postimi në facebook, Spaho shkruan se Rama i gënjeu naftëtarët në vitin 2016, ndërsa kësaj here i la të lodhen e të dëshpërohen dhe në fund të pranojnë çfarëdo zgjidhje që iu ofrohet.

“I gënjeu në 2016 për t’u marrë votën se do të vazhdojnë punën dhe do t’u jepen të gjitha paratë, ndërsa jepte garanci për investitorin që erdhi mbushi xhepat e tij dhe atyre që e sollën dhe iku.

I la naftëtarët 26 ditë në grevë urie, duke u tallur ndërsa negocionte me ekipet e futbollit. I la që të lodhen, të dëshpërohen dhe në fund të pranojnë çfarëdo zgjidhje që siguron, qoftë dhe ushqimin e pak ditëve për femijët, që të dale para shqiptarëve si shpëtimtarë.

Njësoj siç po bën me covid-19. Fillimisht, shpërndau frikë dhe terror të qytetarët, që të dukej si shpëtimtar, sot kur po vdesin nga 12 vetë në ditë, nuk thotë asnjë fjalë sepse nuk i bëhet vonë kush vdes e kush jeton, sa vdesin e sa do të mbesin, mjafton që të mos i cenohen lekët e koncesioneve dhe inceneratorëve”, shkruan Spaho.

Kujtojmë se, kryeministri zhvilloi më herët një takim me naftëtarët e uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh. Rama theksoi edhe njëherë përpara mediave pas këtij takimi se çështja e rrogave të prapambetura nuk i takon qeverisë, por marrëdhënies që këta punëtorë kishin me kompaninë që menaxhonte në kohë. Ai tregoi se iu është premtuar një mbështetje financiare në kohë, por që nuk do të jetë në nivelin e pagës së tyre.