Zyrtarët e Kosovës në Hagë, Andoni: Sido që të jetë fati i këtyre 4 individëve, lufta e UÇK-së nuk preket

Analisti Ben Andoni, në një intervistë për “Ditari”, në A2,u shpreh se është i shqetësuar për faktin se, “sa forcë do të kenë zoti Krasniqi, zoti Thaçi dhe zyrtarët e tjerë të Kosovës për t’i përballur teknikisht akuzat”.

“Presioni shumë i madh për ta ngritur gjykatën ka shkuar në përpjesëtim të zhdrejtë me përgatitjen e Kosovës, që ka ndihmuar vetë që të bëhet kjo gjykatë. Thaçi dhe Veseli i kanë bërë presion njerëzve të tyre që ta votonin këtë institucion. Nga të katër zyrtarët e parë të lartë, Krasniqi është njeriu më i larguar nga akuzat, pasi funksioni i tij ka qenë zëdhënës. Duhet të jemi të bashkuar në këtë moment dhe retorika përçarëse në Shqipëri është e frikshme. Lufta e UÇK-së nuk preket, sido që të jetë fati i këtyre 4 individëve. Në këto momente, këta njerëz kanë nevojë për qetësi dhe këshilla. Zoti Krasniqi më duket pak i papërgatitur për situatën. Mendoj se pozicioni i tij është larg akuzave që janë ngritur kundër tij”, tha Andoni.

“Si ka mundësi që në kohën ku jetojmë, me rrjete sociale, me Kosovën që ka njerëz të arsimuar, është e papërgatitur? Nuk është vetëm fuqia e Serbisë, por pasiviteti. Ka dhe diçka tjetër: në Kosovë, nën zë, ka një lloj dashamirësie që këta njerëz janë në atë pozitë sot sepse u leverdis shumë për situatën politike. Ka pasur disa që kanë thënë se “gjarpri iku nga Kosova”, shtoi Andoni.

Andoni nënvizoi se “pastërtia e luftës së UÇK-së është vijë e kuqe për të gjithë shqiptarët, pastërtia e asaj lufte është patërtia e njerëzve të thjeshtë”. Por, Andoni pati kritika për Thaçin.

“Ata ishin të gjithë idealistë dhe ajo ishte luftë e pastër. Në gjithë këtë kohë, Thaçi kishte të gjitha mundësitë të pastronte veten e vet dhe të përgatitej. Atë që i thuhej shpesh “Ti do të jesh në Hagë”, nuk mund ta negocionte në kurriz të Kosovës. Sado që Thaçi e ka mohuar ndryshimin e territoreve, vetë Bolton ka thënë se ideja për këtë ndryshim ka qenë e ditur prej tij. Është e lehtë që t’u tregosh njerëzve pastërtinë e luftës dhe nga ana tjetër të kërkosh mbrojtje për pozicionin tënd. Më besoni, i vetmi njeri që nuk e dinte, ishte zoti Krasniqi. Në sallën e gjyqit, ai foli si mësues dhe edukator. Krasniqi është prekur te vlerat morale bazë të individit shqiptar. Sot, gjendet në një institucion ku kanë qenë kriminelët më të mëdhenj serbë. Ai nuk e pranon dot në mendjen e tij se si një individ si ai të jetë në të njëjtën bankë të akuzuarish”, u shpreh Ben Andoni.

Kur u pyet se si e sheh fundin e kësaj historie, Andoni tha: “Procesi ka për të zgjatur sepse edhe mënyra se si është përgatitur ka marrë shumë kohë. Mënyra si u paraqit akuza tregon se do të marrë shumë kohë si çështje. Besoj se pala shqiptare nuk mund të ndahet mirë, 100%”.