Dëmi ekonomik nga kufizimet, eksperti: Të subvencionohen bizneset dhe mbrohet punësimi

Vala e re e masave shtrënguese, si kufizimi i orareve do të dëmtojë bizneset e vogla dhe nëse nuk kundërpeshohet me lehtësime fiskale apo ndihmë direkte nga buxheti, rrezikon të dërgojë sistemin në kolaps.

“Gjëja e parë që duhet të bëjë vendi është të subvencionojë në maksimum sipërmarrjen. Mundësisht TVSH-të që janë të palikuiduara duhet të likuidohen në kohë. Mundësisht tatimi i fitimit të bëhet zero dhe taksat e tjera për atë periudhë të karantinës. Le të jetë shteti ai që të boshatisë arkat në këtë lloj pandemie dhe të mbajë konsumin në qarkullim”, u shpreh Danaj.

Sipas ekspertit Vjoldi Danaj, qeveria duhet të fokusohet në politika agresive për mbrojtjen e vendeve të punës.

“Të paktën brenda vendit ne duhet t’i ndihmojmë bizneset që produktet e tyre ta kenë tregun të sigurt. Ndoshta duhet të stopojmë për një farë periudhe importet dhe të fokusohemi tek ekonomia jonë e brendshme. Nëse arrijmë të përdorim ekonominë tonë të brendshme do ta kemi më të lehtë të përballemi me këto masa”, shtoi Danaj.

Sipas Danaj, duhet të shmanget me çdo kusht një mbyllje e dytë e ekonomisë, pasi në të kundërt do të prodhonte 5 vite agoni ekonomike, deri në rikuperimin e dëmit të shkaktuar.