Miqësorja Shqipëri-Kosovë, Reja: Do të doja ta shmangia, në fushë me ekip konkurrues

Kombëtarja kuqezi teston gjendjen përballë Kosovës me sytë nga dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve, Kazakistanin dhe Bjellorusinë.
Edhe pse Edi Reja nuk do ta donte një ndeshje të këtij lloji në këtë moment të Kombëtares, skuadra do të rreshtohet konkurruese sipas teknikut italian.

“Është një ndeshje mjaft e ndjerë mes dy tifozerive. Do të hedh në fushë një skuadër konkurruese, por duhet të kem në konsideratë edhe dy ndeshjet zyrtare. Dëshiroj të mbetet një miqësore, të ketë luftë sportive, por asgjë më tepër. Do ta evitoja një ndeshje të tillë me Kosovën nëse do të mundesha, por kjo ishte alternativa e vetme që kishim në dispozicion në datën e caktuar nga UEFA. Nuk është momenti ideal për një përballje me vëllezërit tanë, por do të gjejmë motivimin për t’u paraqitur mirë. Lojtarët e rinj që do të provohen do të tregojnë se e meritojnë Kombëtaren, por edhe se mund t’i shërbejnë skuadrës në të ardhmen”, u shpreh Edi Reja, trajner i Kombëtares.

“Biseduam me autoritetet shëndetësore në Itali, por situata për Kumbullën është e vështirë sepse te Roma dolën të tjerë lojtarë pozitivë. Ne ishim gati ta merrnim Marashin me avion privat. Roma del nga karantina, të shtunën, dhe shpresojmë që Kumbulla të ketë mundësi të vijë për dy ndeshjet zyrtare.”.

Kapiteni i Kombëtares, Etrit Berisha mendon se situata këtë herë është ndryshe nga ajo e miqësores së kaluar ndërsa thotë se nëse dy përfaqësueset do të ishin një, Kombëtares do t’i frikësohej e gjithë Evropa.

“Me siguri që nuk është e lehtë, por kur është vëllazërore, gjërat janë më të qeta. Nëse do të kishim luajtur në kualifikuese apo në ndeshje më të rëndësishme, mund të ishte një situatë e ndryshme. Si Kosova si Shqipëria janë vendi im, por kam pasur bindjen për të përfaqësuar të gjithë shqiptarët. Dëshiroj që në të ardhmen të bëhet një skuadër e përbashkët, e cila do të ishte super dhe do t’ia kishte frikën gjithë Europa. Por, kjo ndoshta ndodh në një moment tjetër. Për tani duhet ta luajmë këtë miqësore si një vëllazërore. Frikën nuk ia kam askujt. Kosova luan shumë mirë, me lojtarë cilësorë që duan të luajnë futboll dhe nuk duhet të përqendrohemi te një lojtar i caktuar, por tek e gjithë skuadra sepse kanë disa lojtarë të rrezikshëm”, u shpreh Ertrit Berisha.