Naftëtarët, dakord me Ramën pa plotësuar asnjë kërkesë dhe për një pagë ende pa shifër

Naftëtarët e Ballshit nuk kanë vonuar të pranojnë propozimin e kryeministrit Edi Rama për një pagë të ndërmjetme deri në rifillimin e punës në uzinën e përpunimit të naftës.

Edhe pse asnjë nga kërkesat për të cilat naftëtarët protestuan dhe hynë në grevën e urisë nuk është plotësuar, duket se naftëtarët janë dorëzuar përballë kushteve të vështira ekonomike ku ndodhen.

Janë pikërisht këto kushte që i kanë detyruar të pranojnë një pagë që nuk dihet se sa do të jetë.

Tani pritet që përfaqësia e naftëtarëve të diskutojë sërish me kryeministrin mbi vlerën e pagës së ndërmjetme dhe garancitë që pritet të japë qeveria për marrjen e kësaj page deri në rifillimin e punës.

Ndërsa, sa i përket pagave të prapambetura, do të jetë një betejë që naftëtarët duhet të vazhdojnë vetë në rrugë gjyqësore. 

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka përshëndetur vendimin e naftëtarëve, duke premtuar se brenda 48 orëve do të takohen sërish për të kaluar nga mbështetja parimore në atë financiare.