Samiti i Sofjes, Bregu: Nuk ka “viktima”, vetëm fitues nga bashkëpunimi rajonal

Në Samitin e Sofjes që po mbahet online, mori pjesë edhe Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal Majlinda Bregu.

Për A2, ajo zbuloi përfitimet që kanë vendet e rajonit nga tregu i përbashkët rajonal, që nga reduktimi i tarifave të roaming e deri te lëvizja e lirë e qytetarëve me ID.

“Duke qenë treg i përbashkët, kemi mundësi të jemi më atraktiv, sepse një treg me 18 milionë banorë është më interesant se një prej 3 milionë banorësh. Ky nuk është plani i mrekullueshëm që do të ndryshojë situatën brenda natës, por i jep mundësi një proces transformimi nga i cili nuk ka viktima, të humbur, por vetëm përfitues.

Ndërkohë, zhvillimet e fundit me Gjykatën Speciale në Hagë, nuk janë reflektuar ende në samitin ku mori pjesë ndër të tjerët kancelarja Merkel dhe presidenti francez Macron.

“Nuk është pjesë e asaj që po arrijmë sot, por do të jetë pjesë e dialogut Prishtinë-Beograd. Ka ngjarje gjithmonë në rajon, shpresoj shumë që të ketë një qartësi nga të gjithë liderët politik”, shtoi Bregu.