Treni me shpejtësi 965 km/h kryen udhëtimin e parë me pasagjerë

Virgin Hyperloop, treni që mund të arrijë një shpejtësi deri në 965 km/h, kreu testimin e parë me pasagjerë, të dielën, në Las Vegas, por megjithatë, do të duhen vite para se treni të nisë të përdoret gjerësisht në publik.

Sistemi i quajtur “hyperloop” bën të mundur që njerëzit të udhëtojnë me një tren të futur në një tub me vakum, çka e mundëson të arrijë shpejtësinë e lartë, që shkurton ndjeshëm distancat mes qyteteve dhe shteteve. Sistemi i kompanisë Virgin përfshin edhe përdorimin e ngritjes magnetike, që e ngre vagonin e trenit mbi shina, ndërsa fuqia magnetike e shtyn trenin përpara, një teknologji e përdorur që prej viteve 1970.

Në udhëtimin testues treni Virgin arriti shpejtësinë deri në 160 km/h, por sipas kompanisë kjo ndodhi vetëm sepse shinat testuese ishin vetëm 500 metra të gjata. Megjithatë, Virgin tha se realizimi me sukses është një gur kilometrik drejt përdorimit masiv të kësaj teknologjie.