Vaksina 90% efikase, epidemiologia shqiptare në SHBA: Është mrekulli

Rubina Muzina, epidemiologe në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, komentoi në një lidhje direkte me “Ditari” në A2 lajmin e mirë se vaksina e Pfizer do të ketë 90% efektivitet.

“Ne mendonim se edhe një vaksinë 50% do të bënte punë, 70-80% do të ishte optimale, por ishte lajm shumë i mirë që vaksina do të jetë 90% efikase. Tani, protokolli që do të ndiqet është ky: në fund të muajit presim të dhëna se sa e sigurt do të jetë ajo. Pas kësaj, do të mund të kalohet në grupe të ndryshme të popullatës. 90% efikasitet është një mrekulli”, tha Muzina.

Sa i përket situatës aktuale në SHBA, Muzina theksoi: “Numri i rasteve është rritur, por bëhen shumë testime. Studentët janë testuar disa herë, jo vetëm një herë. Nuk shikojmë rritje të numrit të vdekjeve si në fillim. Tani, mjekët kanë mësuar si ta trajtojnë Covid-19”.