Vaksina që pritet të shpëtojë botën, vullnetarët zbulojnë efektet anësore

zbulohet vaksina e koronavirusit pfizer amerikane testohet vullnetare efektet anesore vaksinimi co 1100x620

Ishte një nga lajmet më të shumëpritur në ditët e fundit arritja e një vaksine kundër koronavirusit, por askush nuk kishte folur rreth efekteve anësore që ajo mund të shkaktojë te njerëzit.

Daily Mail sjell dëshmitë e disa vullnetarëve të cilët tregojnë eksperiencën e tyre pas marrjes së vaksinës së Pfizer.

Shumë prej tyre i krahasojnë efektet anësore të saj me një dhimbje koke pas një nate me alkool, ndërsa të tjerë tregojnë se kanë pasur temperaturë apo dhimbje muskujsh të ngjashme me ato pasi merr vaksinën e gripit.

Një vullnetar 45-vjeçar thotë se kur mori dozën e parë kishte efekte njësoj si pas vaksinës së gripit, ndërkohë që simptomat u bënë më të forta pas dozës së dytë.

Një tjetër vullnetar, i quajtur Glenn Deshiels, shpjegon se pati dhimbje koke pas aplikimit të vaksinës së Pfizer si pas një nate të gjatë me alkool, por që iu largua shumë shpejt.

Deri në këto momente, 43,500 njerëz në 6 vende të ndryshme i janë nënshtruar fazës së tretë të testimeve klinike nga gjiganti farmaceutik që po kërkon vaksinën efektive kundër Covid-19.

Carrie, një publiciste nga Missouri tregon se e mori dozën e parë të vaksinës në shtator dhe të dytën muajin e kaluar. Ajo thotë se pati dhimbje koke, temperaturë dhe dhimbje në të gjithë trupin. Sipas saj, këto simptoma u bënë dhe më të vështira pas dozës së dytë.

Publicistja iu bashkua këtyre vullnetarëve pasi e konsideronte këtë thirrje si një detyrë civile dhe deklarata e Pfizer për efektshmërinë e vaksinës e kishte bërë atë krenare për vendimin e marrë.

“Mendimi se ne mund të bëjmë diçka për të ndalur që njerëzit të vuajnë më prej kësaj sëmundje apo të humbin të afërmit e tyre të shtrenjtë si dhe kthimi në normalitet ishin disa nga faktorët që më shtynë të regjistrohesha në program”, shprehet Carrie.