Ankth nga shokët, probleme gjuhësore dhe në të ngrënë, studimi tregon pasojat e mbylljes së shkollave te fëmijët

Shkolla 1100x620

Pasojat e pandemisë, në edukimin dhe zhvillimin e njohurive të fëmijëve, mund të jenë me impakt më të gjerë sesa mendohet. Lajmi, shqetësues, vjen si pasojë i një studimi kompleks të kryer në Britaninë e Madhe në muajt shtator-tetor.

Studimi, i kryer nga Zyra për Standardet e Edukimit te Fëmijët (Ofsted), ka vizituar pothuajse 900 shkolla fillore, kopshte dhe çerdhe në të gjithë vendin.  

Autorët e studimit ndanë në tri grupe kryesore fëmijët, aty ku shiheshin pasoja nga karantina që mbylli britanikët në muajin e marsit, dhe ku masat e reja të vendosura javën e kaluar nga Londra zyrtare për t’u përballur me valën e dytë pandemike, nuk do të përfshijnë në këtë rast institucionet shkollore.  

Për grupin e parë, sipas studimit, mbyllja sociale dhe ajo e shkollave kishte pasur një impakt më të fortë, të drejtpërdrejtë në njohuritë e tyre. Shumë fëmijë kishin harruar të numëronin dhe kishin vështirësi të gjenin fjalët e duhura. Në disa raste të tjera, por më të rralla, fëmijët më të  vegjël shfaqën probleme edhe me përdorimin e thikës dhe pirunit.

Në përgjithësi, fëmijët e grupit të dytë, atij më të madh, tregonin probleme të ndryshme, si humbje e formës fizike, mungesë përqendrimi, nervozizëm në dinamikat në grup si dhe një dëshirë të madhe për mos t’u ndarë nga prindërit. “Nuk ishte normale që fëmijët të qëndrojnë me prindërit aq shumë, sa po ndodh në këtë periudhë, fëmijët kanë nevojë të rrinë pranë fëmijëve të tjerë”, thotë pediatrja amerikane Dyen Hes, që komentoi studimin.   

Ajo pohoi se pjesa më e madhe e studimit britanik mund të aplikohet edhe në eksperiencën e Shteteve të Bashkuara, “në çdo moshë dhe grup”, ku i shtohen probleme në shtimin e ankthit dhe probleme të ndryshme gjuhësore.

Por studiuesit vërejtën edhe një grup të tretë fëmijësh, që dukshëm kishin përmirësim ose të paktën ndiheshin më të çliruar dhe pozitivë pas karantinës. Bëhet fjalë zakonisht për fëmijë që kanë një familje mesatarisht më të kujdesshme, me prindër që përfshinin fëmijët në aktivitetet e tyre të përditshme duke i rritur ndjenjën e përkatësisë.