Basha, bisedë me qytetarët që kanë kaluar Covid-19

basha 2 1100x620

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një bashkëbisedim me disa qytetarë të cilët kanë kaluar COVID-19. Në bisedë me kreun e opozitës, qytetarët treguan eksperiencën e tyre në përballjen me virusin.

Gjatë bisedës, qytetarët i thanë Bashës se në shumicën e rasteve, në mungesë të përgjigjes nga shteti, janë detyruar të gjejnë zgjidhje në spitalet private, duke paguar shuma të papërballueshme nga familjet shqiptare.

“Vetëm 30 gjilpëra më kanë kushtuar 1 milion e 800 mijë lekë. Është me të gjitha rregullat nëpërmjet mjekut të familjes që kam marrë. Falë një djali që kam në Angli, me lekët e mia i kam ble. Të gjitha me lekët e mia”, thotë Muharrem Poleshi.

Basha apeloi edhe një herë për kujdes, ndërsa i kërkoi qeverisë që të të ndalë vjedhjen dhe dërgimin e taksave në parajsat fiskale, por të çojë paratë tek qytetarët, mjekët, infermierët dhe tek shëndetësia që të mos humben më jetë: “Edhe në kohën kur njerëzit po vdesin nëpër spitale, prapë se prapë, edhe para disa ditësh, vazhdojnë pagesat në thesar për inceneratorin e Elbasanit. Ne do të bëjmë gjithçka që ta mundim këtë të keqe në të gjitha dimensionet e saj dhe ta shërojmë Shqipërinë edhe të ecim drejt një të ardhme më të mirë ashtu siç dëshironi ju dhe ashtu siç dëshiron çdo shqiptar”.