Biden: Asgjë nuk e ndal transferimin e pushtetit, turp për Trump që nuk pranon rezultatin

KR PROGRAMI BIDEN frame 1209 1100x620

Presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se është “turp” që presidenti Donald Trump nuk e ka pranuar ende rezultatin e zgjedhjeve në SHBA.

Joe Biden tha, të martën, se asgjë nuk do ta ndalë transferimin e pushtetit në SHBA, megjithëse presidenti Donald Trump pretendon pa prova se zgjedhjet u karakterizuan nga mashtrime dhe disa prej aleatëve të tij republikanë mbështesin proceset ligjore të hapura për këtë qëllim.

I pyetur nga gazetarët se cili është plani i tij nëse administrata Trump nuk bashkëpunon në tranzicionin e pushtetit, Biden tha: “Do të ishte mirë sikur ta kishim bashkëpunimin e administratës, por nuk është vendimtar. Ne do të bënim pikërisht atë që po bëjmë, edhe sikur ta pranonte humbjen”.

Z. Trump, ndërkohë, shkroi në Twitter se në fund të fundit do të fitonte garën që të gjitha rrjetet kryesore televizive kanë parashikuar se ai ka humbur.

Siç ndodh çdo katër vjet, media amerikane projektoi fituesin e zgjedhjeve. Asnjë nga rezultatet shtet për shtet nuk është certifikuar akoma, disa numërime votash po vazhdojnë dhe rezultati do të vendoset vetëm pasi Kolegji Zgjedhor i SHBA-së të mblidhet në 14 dhjetor.

Udhëheqësit botërorë, përfshirë shumicën e aleatëve amerikanë, e kanë uruar presidentin Biden për fitoren në zgjedhje.

Biden tha, të martën, se ka biseduar me gjashtë liderë botërorë “për t’iu treguar se Amerika është rikthyer”.

Sipas disa njoftimeve, Biden, ka biseduar me kancelaren gjermane, Angela Merkel, presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe kryeministrin britanik, Boris Johnson.