Lulzim Basha i kthen përgjigje Ramës: Nuk më bën dot moral për patriotizëm

WhatsApp Image 2020 11 11 at 16.43.13 1100x620

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes një videomesazhi i ka kthyer përgjigje akuzave të kryeministrit Rama në lidhje me rolin e tij për përgatitjen e dosjes së UNMIK kundër ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Lideri i demokratëve shprehet se ka punuar për pavarësinë e Kosovës dhe se akuzat e kryeministrit janë thjesht mashtrime për të larguar vëmendjen nga dështimi me pandeminë.

“Unë e kam vënë tërë jetën time në shërbim të vendit. Për Shqipërinë. Për shqiptarët. Për pavarësinë e Kosovës.  Ti nuk më bën dot moral mua për patriotizëm.  Ti nuk më mëson dot mua çfarë është besnikëria ndaj Shqipërisë.  

Edhe sot me gënjeshtrat, mashtrimet dhe veprimet e tua ti dëmton Shqipërinë, Kosovën dhe interesat kombëtare. 

Po ta them qartë dhe prerë, të gjitha akuzat e tua janë shpifje dhe mashtrime për të larguar vëmendjen nga skandalet dhe dështimet e tua që po i paguajmë me jetë njerëzish.   

Për të gjitha këto po vjen dita të japësh llogari para drejtësisë”, shprehet Basha.