Me sytë nga Infektivi, familjarët: Nuk na japin informacion mjekët, kemi ditë që presim

Disa orë pasi kreu aktin ekstrem, duke u vetëhedhur nga Spitali Infektiv, 69-vjeçari, me iniciale R.G., ka ndërruar jetë. Burime pranë bluzave të bardha bëjnë me dije se i moshuari, ndonëse nën kujdesin e mjekëve, nuk i rezistoi dot plagëve të marra në trup. 

Ndërkohë, situata kaotike vijon të jetë prezente, teksa dhjetëra familjarë janë me sytë nga Spitali Infektiv, se mos një prej mjekëve do t’u tregojë më tepër rreth gjendjes së familjarëve të shtruar. Nga biseda e shkurtër telefonike, që pati me të atin, një zonjë tregon se gjendja e tij është rënduar edhe më tepër. 

Të shtrohesh pa qenë i infektuar, qytetari: Nëna ka tri ditë tek Infektivi, tamponi e nxori negative

Mund të ndodhë që të mos jesh me Covid dhe të mbahesh i shtruar në Spitalin Infektiv. Kjo është historia e nënës së një zotërie nga Tirana. Tamponi i kryer në spitalet private e ka nxjerrë atë negative, ndërkohë që ajo vijon të qëndrojë e shtruar.

Ndërsa një familje nga Berati thotë se babait të tyre nuk i është bërë ende tampon dhe se është shtruar pa informacionin e plotë mbi gjendjen e tij. Ata kërkojnë informacion nga mjekët, por deri më tani nuk kanë asnjë përgjigje.

Që prej disa javësh, Spitali Infektiv është kthyer në vendqëndrim, jo vetëm për pacientët me koronavirus, por edhe për familjarët, të cilët nuk pranojnë të largohen pa mësuar më tepër rreth gjendjes së të afërmve të tyre.

  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 17 viktima në 24 orët e fundit
  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 795 raste në 24 orët e fundit
  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 388 të shëruar në 24 orët e fundit