Ndikimi i pandemisë, 9-mujori, tkurret me 40% fitimi i bankave

Pandemia e COVID-19 ka prekur edhe sistemin bankar. Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë rezulton se bankat e mbyllën 9-mujorin me një fitim neto prej 10.7 miliardë lekësh, ekuivalent me rreth 87 milionë eurosh.

Kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, fitimi i tyre është tkurrur me 40%. Kjo ka ndodhur për shkak të një politike të kujdesshme që ka ndjekur sistemi bankar, për të rritur fondet rezervë për humbjet nga kreditë me probleme.

Shpenzimet për provigjione në fund të 9-mujorit arritën në 5.1 miliardë lekë, tre herë e gjysmë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në tkurrjen e fitimit ka ndikuar edhe rritja e shpenzimeve operative që kanë bërë bankat, për shkak të zbatimit të protokolleve të sigurisë për pandeminë.

Për Adrian Civicin, bankat do të vijojnë të ndjekim këtë politikë konservatore për të ruajtur bilancet e tyre nga rritja e kredive me probleme. Ndikimi i krizës së pandemisë te kreditë e këqija pritet të reflektohet në tremujorin e fundit të vitit, me mbylljen e moiratoriumit të shtyrjes së pagesës së kësteve.

Ekspertët vlerësojnë se roli i sistemit bankar në rimëkëmbjen e ekonomisë është i rëndësishëm, ndaj nevojitet një strategji e përbashkët mes bankave, qeverisë, bizneseve dhe individëve për të nxitur kreditimin.