Pacientët në ambulancë, Rama: Aty janë të gjitha pajisjet, ka procedurë për shtrimin në spital

Kryeministri, Edi Rama, kritikoi mediat për raportimet e tyre nga terreni nëpër spitalet Covid, duke i shpjeguar edhe procedurën e shtrimit në spital.

“Shkoni, shikoni autoambulancat se çfarë kanë brenda! Janë ambulanca me të gjitha pajisjet. Çfarë do të thotë kjo që rrinë njerëzit e dergjen në ambulancë? Ambulanca shkon në spital dhe ka procedurë që njerëzit të futen nga ambulanca në spital. Në kohën që bëhet procedura e shtrimit, në autoambulancë merret i gjithë shërbimi. Shikojini vetë ambulancat meqë kur i nxjerrim ne, thoni që i bëjmë reklamë. Nuk mund të rrish 200 metra larg dhe të thuhet “shikoni si rri pacienti në ambulancë”. Ka vende në spital, edhe pse mund të mos kishte, siç nuk ka në Bruksel”, theksoi Rama.

Në lidhje me moslejimin e celularit në spital, Rama e shpjegoi me faktin se “në asnjë vend të botës nuk i lënë telefonat në pavionin Covid”.

“Kemi plan dhe kemi strategji të shkruar e të përditësuar. I ka shkuar në tryezë edhe Ilir Metës. Në vitin e ardhshëm, 9,4% e buxhetit do të jetë vetëm për shëndetësinë, financimi më i lartë ndonjëherë. Po ashtu, një paketë e tërë specifike 15 milionë euro, e siguruar nga Banka Botërore, dhe 1,7 miliardë, paketa për luftën ndaj Covid”, shtoi kryeministri.