Panairi i Librit 2020, takimet letrare do ta pushtojnë kryeqytetin, por shitjet do jenë online

Libri ka treguar se ka qenë gjithnjë një mik i mirë i njeriut, ndërsa panairin e kemi konsideruar gjithnjë si një festë për të.

E ndërsa pandemia na kushtëzon për të gjetur mënyra për të manifestuar një ngjarje, Panairi i Librit na ofrohet këtë vit online.

Online do të jenë shitjet, ndonëse edhe të shkojmë në librari do të jetë një joshje, sepse shtëpitë botuese do t’i ofrojnë veprat e tyre me ulje.

Këtë vit, shtëpitë botuese, shtëpitë e librave do të jenë më pak, pasi pandemia ka ndikuar që botuesit nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi ta kenë të vështirë pjesëmarrjen këtu. Por, teknologjia do na mundësojë të prezantohemi edhe me disa tituj të rinj që vijnë nga përtej kufijve zyrtarë.

Ajo që nuk do të ndryshojë edhe këtë vit janë takimet për letërsinë, një takim mbi përkthimin dhe një takim tjetër për sfidat e letërsisë shqipe në kohën e globalizmit, takimet për promovimet e librave të rinj, por edhe çmimet e panairit.

Panairi nis më 12 nëntor dhe mbyllet mbrëmjen e së dielës më 15 nëntor, pikërisht me ceremoninë e çmimeve për më të mirët.