Reja i kënaqur me fitoren: Të rinjtë u paraqitën shumë mirë

reja 1100x620

Është shfaqur tepër i kënaqur trajneri i Kombëtares Shqiptare, Eddy Reja pas fitores së ndeshje miqësore përballë Kosovës me rezultatin 2-1.

I pari në stolin e kuqezinjve vlerësoi ekipin për paraqitjen e mirë dhe sidomos të rinjtë që ishin grumbulluar dhe që dhanë maksimumin e tyre në këtë takim.

“Na u desh të bënim një vlerësim për të rinjtë, na shërbeu shumë kjo ndeshje, sepse debutuan shumë lojtarë të rinj. Ecim përpara, janë disa lojtarë që duhet t’i kemi në konsideratë, sot provuam në aspektin mbrojtës dhe mbeta i kënaqur. Kosova është një skuadër shumë e mirë, ne luajtëm mirë”, tha Reja.

Gjithashtu, gjatë konferencës për shtyp pas ndeshjes, trajneri italian sqaroi dhe çështjen e kapitenit të skuadrës duke thënë se sa herë që të luajë Berisha do të jetë ai kapiteni.

“Kur luan Berisha, është gjithmonë ai kapiteni. Kapiteni është votuar që në fillim kur erdha këtu nga lojtarët e tjerë. Shoh një tendencë në lidhje me këtë çështje, por nuk ka nevojë për polemika. Hysaj do të jetë kapiten kur nuk do të luajë Berisha”, përfundoi trajneri.