Sezoni i tretë i “Narcos: Mexico” do të jetë edhe më shpërthyes

Netflix ka lajmëruar për një sezon të tretë të serialit “Narcos: Mexico”, me emra të rinj që i bashkohen kastit të aktorëve. I fundit që është konfirmuar nga Netflix është këngëtari Bad Bunny, emri i plotë i të cilit është Benito Antonio Martínez Ocasio. Ai do të luajë rolin e Arturo “Kitty” Paez.

Sipas përshkrimit të Netflix, personazhi do të jetë pjesë e një bande të quajtur “Narco Juniors”, një grup fëmijësh të pasur nga shtresa e lartë e shoqërisë meksikane, që ka gjetur gjuhën e përbashkët me trafikantët, duke shijuar paratë, drogën dhe dhunën që ata mbartin.

Këngëtari 26-vjeçar, i njohur për këngë si “Dakiti” dhe paraqitjen krah yjeve të muzikës si Shakira dhe Jennifer Lopez gjatë pushimit të Super Bowl LIV, kishte zbuluar më parë detaje nga roli i tij, pasi i tha revistës “Rolling Stones” se ka nisur xhirimet para nisjes së pandemisë.

Aktorë të tjerë që i janë bashkuar serialit ikonë të Netflix janë Luis Gerardo Méndez, Alberto Guerra dhe Luisa Rubino. Méndez do të luajë rolin e një efektivi policie në Huarez, Guerra atë të një trafikanti, ndërsa Ruino të një gazetari investigative.

Sezoni i ri “Narcos: Mexico” ndjek ngjarjet që zhvillohen në Meksikën e viteve 1990, ku pas arrestimit të Miguel Angel Felix Gallardo, “fronin” e karteleve e marrin emra të rinj, mes tyre edhe Joaquin El Chapo Guzman, ndërsa Meksika futet në një spirale dhune dhe trazirash politike.