Votat në Xhorxhia rinumërohen me dorë, Trump bën daljen e parë publike pas humbjes së zgjedhjeve

Shteti amerikan i Xhorxhias njoftoi se të gjitha votat për zgjedhjet presidenciale do të rinumërohen me dorë. Joe Biden kryeson me rreth 14 mijë vota ndaj presidentit në detyrë, njoftoi sekretari i këtij shteti Brad Raffensperger.

“Matematikisht, duhet të bëjmë një rinumërim të plotë dorë më dorë pasi diferenca është shumë e ngushtë”, u shpreh ai duke theksuar se vetëm në këtë mënyrë do të mësohet rezultati përfundimtar.

Ndërkohë, presidenti në detyrë, Donald Trump, bëri daljen e parë publike që pas zgjedhjeve. Ai mori pjesë në një ceremoni përkujtimore për Ditën e Veteranëve në varrezat ushtarake Arlington pranë Uashingtonit.

Aty nuk bëri asnjë deklaratë, ndërsa Shtëpia e Bardhë publikoi fjalimin që do të mbante. Trump thekson se ka punuar pa reshtur në mbështetje të veteranëve. Ndërsa presidenti i zgjedhur, Joe Biden, homazhet i bëri në Filadelfia.