Censusi shtyhet në 2022, Mazhoranca: BE na kritikoi për të kaluarin

Etnia dhe feja ishin dy prej pyetjeve në censusin e 9 viteve më parë që ngjallën ragime të forta brenda dhe jashtë vendit.

Regjistrimi i radhës i popullsisë dhe banesave do të bëhet në vitin 2022, por mazhoranca ende nuk e ka kaluar për votë në seancë ligjin. Ajo thotë se është kujdesur që debati për pakicat etnike dhe përkatësinë fetare, të shmanget duke i lënë pyetjet për këto çështje fakultative dhe pa gjoba nëse gënjehet.

Por, Ines Nurja, drejtuesja e INSTAT që organizoi censusin e vitit 2011 thotë se ka qenë pikërisht Bashkimi Europian që kishte këmbëngulur në pasjen e një statistike të saktë për dy kategori, pyetjet për të cilat edhe atëherë ishin fakultative. 

Megjithatë, këtë radhë do të kemi një statistikë më të saktë për një tjetër çështje që ka shkaktuar përplasje politike, atë për numrin e shqiptarëve që kanë lënë vendin përkohësisht, si në rastin e azilkërkuesve, apo përfundimisht.

Në 2021 nuk mund të kryhet census pasi është një vit zgjedhor. Ndërsa pandemia dhe tërmeti e bënë të pamundur të zhvillohej në 2020.