Edmond Panariti “braktis” LSI-në, merr detyrën e re

edmond panariti 1100x620

Edmond Panariti nuk do të jetë më pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Lajmin e dha vetë ish-ministri i Jashtëm shqiptar, në rrjetet sociale.

“Që nga dita e sotme kam vendosur të ndërpres  angazhimin tim si pjesë e strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për shkak të një ftese për tu angazhuar në një detyrë të rëndësishme. Me këtë rast më lejoni t’ju falënderoj përzemërsisht për këtë  rrugëtim 16 vjeçar të përbashkët, plot sfida, sakrifica dhe arritje”, ishin fjalët e Panaritit në postimin e tij.

Pak minuta më vonë vetë presidenti Ilir Meta njoftoi një seri lëvizjesh në kabinetin e tij, dhe emërimin e politikanit që ka qenë edhe ministër i Bujqësisë si drejtor kabineti.  

Njoftimi i Institucionit të Presidentit të Republikës

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ka pranuar sot dorëheqjen e z.Bahri Shaqiri nga detyra e Këshilltarit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, për shkak të angazhimeve të tij në të ardhmen, që nuk përputhen me këtë detyrë tepër të rëndësishme.

Presidenti Meta, ka emëruar Këshilltar për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, z.Spiro Koçi, i cili deri sot ka ushtruar detyrën e Këshilltarit Diplomatik të Kreut të Shtetit.

Presidenti Meta ka emëruar Këshilltar Diplomatik, z.Arben Cici, i cili ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Kabinetit.

Për shkak të forcimit të prioriteteve të reja të Institucionit të Presidentit të Republikës, me qëllim përballimin me sukses të sfidave, që parashtron koha, në funksion të interesit më të mirë qytetar dhe kombëtar, siç janë:

  • Sfidat e pandemisë COVID-19 dhe shëndetit publik,
  • Sfidat me të cilat përballet faktori shqiptar;
  • Shpopullimi i vendit,
  • Sfidat në Arsim,
  • Sfidat në Mjedis,

Kreu i Shtetit, ka emëruar sot në detyrën tepër të rëndësishme të Drejtorit të Kabinetit, Prof.Dr. Edmond Panariti.