Hoti në interpelancë, kryeministri: Të pagjeturit, çështje kryesore në dialog

Kuvendi i Kosovës nisi punimet e seancës duke mbrojtur ish-udhëheqësit e UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë. Më pas, deputetët kaluan në rendin e ditës me interpelancën ndaj kryeministrit, Avdullah Hoti.

Tema e të pagjeturve të luftës mbizotëroi në fjalimin e shefit të qeverisë. “Faktet e reja që janë shfaqur në televizionet serbe për mundësinë e 16 varrezave masive shtyjnë edhe më shumë nevojën dhe përpjekjen për gjetjen e trupave në Serbi. Synimi ynë themelor është gjetja e trupave të të pagjeturve. Në fokus të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë do të jenë të pagjeturit. Nuk mund të shkojmë përpara, kjo është çështje kryesore”, deklaroi Hoti.  

Ai pati këtë përgjigje pasi u pyet nga deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje që të saktësonte nëse do ta ndërpriste apo kushtëzonte procesin e dialogut duke i kërkuar Serbisë që fillimisht të niste hetimet për të pagjeturit e luftës. 

“Mendoj që përgjigjet po i japim të qarta me veprimet që po i bëjmë. Në marrëveshjen e Uashingtonit është përfshirë edhe çështja e të pagjeturve. Në Bruksel, çështja kryesore që është diskutuar janë të pagjeturit”, u përgjigj kryeministri kosovar.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje pyetën Hotin, më tej, se pse nuk janë publikuar marrëveshje të nënshkruara me Shqipërinë në mbledhjen e përbashkët. Kryeministri u përgjigj duke thënë se ka marrë hapa konkretë për të garantuar transparencë maksimale.