Kampionët bardheblu “bien” nga Korabi, eliminohen nga Kupa e Shqipërisë

WhatsApp Image 2020 11 12 at 16.40.19 1100x620

U nevojit emergjenca e krijuar prej pandemisë Covid-19 dhe ngjeshja e kalendarit e shkaktuar nga bojkoti, që Kupa e Shqipërisë të bëhet interesante dhe të dhurojë surpriza. Tirana dhe Bylis e shohin veten jashtë garës për trofeun e dytë për nga rëndësia në vend.

Kampionët e Shqipërisë u eliminuan në mënyrë surprizë nga Korabi, pasi u thyen 0-1 në shtëpi, nga goli i Skuka në minutën e 119-të të shtesës. Tirana tashmë do të përqendrohet vetëm te kampionati, ndërsa skuadra nga Peshkopia po përjeton ëndrrën dhe do të luajë në çerekfinale.

Humbje e papritur edhe ajo e Bylisit, që u mposht 1-2 në Ballsh nga Dinamo. Me kohën e rregullt që përfundoi në barazim 1-1, vendimtar për kryeqytetasit ishte goli i Da Silvas me penallti, në minutën e 114 të kohës shtesë.

Në ndeshjet e tjera, u kualifikuan Teuta, Partizani e Skënderbeu, ashtu sikurse edhe Kukësi, që fitoi 2-1 me përmbysje përballë Besës. Të premten Vllaznia luan me Elbasanin, ndërsa të shtunën Laçi luan me Egnatian. Këto sfida do të plotësojnë kuadrin e çerekfinaleve të këtij edicioni të Kupës, ku përballjet do të përcaktohen me short të lirë.